Politika e privatësisë
Përditësuar më [data e publikimit] · Vlen për app-in e klientit dhe atë të shoferit.
Mbledhim vetëm ato të dhëna pa të cilat shërbimi nuk punon. Nuk i shesim, nuk i japim me qira dhe nuk i ndajmë me askënd për reklama.
Kontrolluesi i të dhënave është [Emri i plotë i kompanisë SH.P.K.], me seli në [adresa], Kosovë. Për çdo pyetje rreth të dhënave të tua: info@udha-app.com.
Çfarë mbledhim
Nga të gjithë
- Numri i telefonit — për të hapur llogarinë me kod SMS, dhe që klienti e shoferi të flasin gjatë udhëtimit.
- Emri — që shoferi të dijë kë po merr dhe klienti të dijë kush po vjen.
- Fotoja e profilit (nuk është e detyrueshme për klientët) — njohja në takim.
- Vendndodhja — çmimi, gjetja e shoferëve afër, navigimi dhe ndjekja e udhëtimit. Shih seksionin e veçantë më poshtë.
- Historiku i udhëtimeve — që ta shohësh vetë, që të zgjidhen mosmarrëveshjet, dhe për detyrimet tatimore.
- Mesazhet mes klientit dhe shoferit — lidhen me një udhëtim të vetëm dhe i sheh vetëm ai udhëtim.
- Vlerësimet dhe komentet — cilësia e shërbimit.
- Token-i i njoftimeve — që të mbërrijnë njoftimet. Nuk përmban asgjë personale.
Vetëm nga shoferët
- Të dyja anët e patentës së shoferit dhe numri i saj — verifikim ligjor para se të lejohet të marrë pasagjerë. Klientëve nuk u shfaqen kurrë.
- Një selfie verifikimi — krahasohet me foton e patentës. Shih seksionin për verifikimin e fytyrës.
- Të dhënat e veturës — marka, modeli, ngjyra, targa dhe fotoja. Këto i sheh klienti, që ta njohë veturën në rrugë.
- Shpenzimet që i shkruan vetë — naftë, larje, servis. Janë vetëm për ty; askush tjetër nuk i sheh, as ne nuk i përdorim për asgjë tjetër.
Verifikimi i fytyrës
Kur një shofer regjistrohet, selfia e tij krahasohet me foton në patentë. Kjo është e dhënë biometrike, ndaj po e shpjegojmë veçmas.
- Krahasimi bëhet nga Amazon Rekognition. Fotot i dërgohen vetëm për atë krahasim dhe nuk ruhen te ata.
- Rezultati është një përqindje, jo një vendim. Aprovimin e jep gjithmonë një person, duke i parë vetë të dyja fotot.
- Nuk krijojmë asnjë "shabllon" fytyre që të krahasohet më vonë me dikë tjetër. Nuk bëjmë njohje fytyre në rrugë, në hartë, apo në ndonjë bazë.
- Klientët nuk verifikohen me fytyrë. Kjo vlen vetëm për shoferët.
Baza ligjore është detyrimi ynë për të siguruar se personi që merr pasagjerë është vërtet i njëjti që i dorëzoi dokumentet. Pa këtë verifikim, llogaria e shoferit nuk aprovohet.
Kontrollet kundër mashtrimit
Kur ngarkohen dokumentet e një shoferi, bëhen disa kontrolle automatike: a është përdorur e njëjta foto në një llogari tjetër, a është përdorur i njëjti numër patente, dhe a përputhet numri që shkroi shoferi me atë që lexohet në foto.
Rezultati u shfaqet vetëm administratës si shenjë për t'u shikuar më nga afër. Asnjë llogari nuk refuzohet automatikisht nga një makinë.
Çfarë NUK mbledhim
- Asnjë të dhënë karte ose bankare. Paguhet me para në dorë, drejtpërdrejt te shoferi — ne nuk e prekim transaksionin.
- Kontaktet e telefonit, galerinë, mikrofonin, historikun e shfletimit.
- Vendndodhjen kur nuk je duke përdorur shërbimin.
Vendndodhja, konkretisht
Klientët
Lexohet vetëm kur app-i është hapur — për të mbushur adresën e nisjes, për të llogaritur çmimin, dhe për të parë shoferin që po afrohet. Kur e mbyll app-in, leximi ndalon.
Shoferët — edhe kur app-i është në sfond
Ndërsa je online, pozicioni yt dërgohet edhe kur app-i nuk është në ekran. Pa këtë, do të zhdukeshe nga harta sa herë hap navigimin ose i përgjigjesh një telefonate, dhe kërkesat do të shkonin te dikush tjetër.
Kur del offline, dërgimi ndalon menjëherë dhe nuk rifillon derisa të dalësh online vetë. Nuk të ndjekim kurrë kur nuk je në punë.
Me kë i ndajmë
Këta janë përpunues që punojnë sipas udhëzimeve tona. Asnjëri nuk lejohet t'i përdorë të dhënat për qëllime të veta.
- Twilio — numrin e telefonit, për kodin SMS.
- Expo — token-in e pajisjes, për njoftimet.
- Google Maps dhe OSRM — koordinatat, për hartat dhe rrugën.
- Amazon Web Services — fotot e verifikimit, vetëm gjatë krahasimit.
- Render — serveri dhe baza e të dhënave.
- Cloudflare — kalimi i trafikut dhe mbrojtja e tij.
Të dhënat u dorëzohen autoriteteve vetëm nëse na detyron ligji ose një urdhër i gjykatës.
Sa kohë i ruajmë
- Llogaria — sa kohë që e mban të hapur.
- Udhëtimet dhe faturat — mbeten edhe pas fshirjes së llogarisë, por pa emrin dhe numrin tënd. Kjo kërkohet për kontabilitetin e shoferëve dhe për tatimet.
- Dokumentet e shoferit dhe selfia — fshihen plotësisht kur fshihet llogaria.
- Mesazhet — fshihen bashkë me llogarinë.
Të drejtat e tua
Ke të drejtë të kërkosh një kopje të të dhënave të tua, të korrigjosh çka është e pasaktë, dhe t'i fshish. Fshirjen mund ta bësh vetë nga app-i: Profili → Fshi llogarinë. Për çdo kërkesë tjetër na shkruaj — përgjigjemi brenda 30 ditëve.
Nëse mendon se i kemi trajtuar keq të dhënat e tua, ke të drejtë të ankohesh te Agjencia për Informim dhe Privatësi e Kosovës.
Fëmijët
Udha nuk është për persona nën 18 vjeç. Nëse mësojmë se një llogari i takon një fëmije, e mbyllim dhe i fshijmë të dhënat.
Ndryshimet
Nëse ndryshojmë diçka të rëndësishme, të lajmërojmë në app para se të hyjë në fuqi. Data lart tregon versionin e fundit.